Kosova investon më shumë në Shqipëri se anasjelltas
Investimet nga Kosova në Shqipëri arritën në 66.8 milionë euro, ndërsa ato shqiptare në Kosovë ranë në 39.3 milionë euro.

Kompanitë e Kosovës po investojnë dukshëm më shumë në Shqipëri sesa bizneset shqiptare në Kosovë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, investimet direkte nga Kosova në Shqipëri arritën në 66.8 milionë euro, ndërsa investimet nga Shqipëria në Kosovë ishin 39.3 milionë euro. Diferenca prej 27.5 milionë eurosh tregon se kapitali po lëviz në të dyja drejtimet, por me një ritëm më të lartë nga Kosova drejt tregut shqiptar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, nga 66.8 milionë euro investime kosovare në Shqipëri, 32.2 milionë euro u regjistruan në tremujorin e parë dhe 34.6 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2026. Ndërkohë, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se investimet shqiptare në Kosovë arritën në 15.1 milionë euro gjatë tremujorit të parë dhe 24.2 milionë euro gjatë tremujorit të dytë, për një total prej 39.3 milionë eurosh.
Investimet nga Kosova përbënin rreth 5.8 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit, të cilat arritën në rreth 1.14 miliardë euro. Nga ana tjetër, investimet shqiptare përfaqësonin rreth 8.4 për qind të investimeve të huaja direkte në Kosovë, që gjatë së njëjtës periudhë arritën në 467.4 milionë euro.
Investimet nga Kosova rriten me 6.5 për qind, ato nga Shqipëria bien me 28.5 për qind
Diferenca mes investimeve të dy vendeve nuk është vetëm një zhvillim i gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar tregon se investimet kosovare në Shqipëri kanë vijuar të rriten, ndërsa ato shqiptare në Kosovë kanë shënuar rënie të ndjeshme.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, investimet nga Kosova në Shqipëri ishin 62.7 milionë euro. Një vit më vonë, ato u rritën në 66.8 milionë euro, duke regjistruar një rritje prej rreth 6.5 për qind. Në të kundërt, investimet nga Shqipëria në Kosovë ranë nga 55 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, në 39.3 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2026, ose rreth 28.5 për qind më pak.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, Shqipëria kishte investuar 26.4 milionë euro në Kosovë, ndërsa në tremujorin e dytë 28.6 milionë euro. Rënia e regjistruar këtë vit tregon një ngadalësim të fluksit të kapitalit shqiptar drejt tregut kosovar, në një kohë kur kompanitë e Kosovës po zgjerojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Vetëm gjatë vitit 2025, bizneset nga Kosova investuan 186.4 milionë euro në Shqipëri, duke e renditur Kosovën si investitorin e tretë më të madh, pas Holandës dhe Italisë.
Kompanitë kosovare po kalojnë nga investimet në prona te blerja e bizneseve shqiptare
Një nga arsyet e zgjerimit të investimeve kosovare në Shqipëri lidhet me rritjen e kompanive dhe madhësinë e kufizuar të tregut vendas. Analisti i ekonomisë, Astrit Panxha, vlerëson se struktura e investimeve ka ndryshuar, pasi deri në vitin 2025 kapitali ishte përqendruar kryesisht në pasuri të paluajtshme, ndërsa tani kompanitë po hyjnë më drejtpërdrejt në tregun shqiptar, përmes blerjes së bizneseve dhe rrjeteve ekzistuese të shitjes me pakicë.
“Këtë vit ka një zhvendosje, në vitin 2025, ku më shumë janë kompanitë e Kosovës që po investojnë në Shqipëri. Kemi rastin e blerjes së rrjetit të shitjes me pakicë, domethënë nga retail-i i Kosovës”, është shprehur Panxha.
Sipas tij, zgjerimi në Shqipëri u krijon kompanive kosovare mundësi për të rritur shitjet e produkteve të prodhuara në Kosovë, si dhe për të organizuar shërbime të përbashkëta për tregun rajonal.
“Edhe një kompani e Kosovës që investon, për shembull, kemi rastin që ka hyrë në tregun e shitjes me pakicë, ajo mundet t’i sjellë produktet e Kosovës më lehtë. Pastaj dividendi që fitohet në atë kompani sillet në Kosovë. Shërbimet e tjera të marketingut e shumë shërbime të tjera munden të centralizohen në Kosovë që të bëhen për gjithë rajonin”, ka shpjeguar ai.
Panxha e konsideron Shqipërinë një treg të natyrshëm për zgjerimin e bizneseve kosovare, duke theksuar se investimet prej 186.4 milionë eurosh gjatë vitit 2025 e renditën Kosovën ndër investitorët kryesorë në Shqipëri. “E Shqipëria është hapi i parë më i natyrshëm”, është shprehur ai.
Viva Fresh, Albi Group, KAN Group dhe Dukagjini ndër investitorët kryesorë
Zgjerimi i kompanive kosovare në Shqipëri po realizohet jo vetëm përmes investimeve të reja, por edhe përmes blerjes së bizneseve dhe rrjeteve ekzistuese në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Një nga transaksionet më të rëndësishme është blerja e SPAR Albania nga Viva Fresh Group për rreth 36.4 milionë euro. Pas këtij investimi, kompania ka zgjeruar më tej aktivitetin përmes blerjes së rrjetit Eco Market dhe gjashtë marketeve të KMY-së, duke forcuar praninë në sektorin e tregtisë me pakicë.
Në sektorin e modës, Albi Group ka blerë Fashion Group Albania për rreth 7.6 milionë euro, së bashku me operacionet e markave ndërkombëtare Mango, Geox, Parfois, Carpisa dhe Aldo. Ndërkohë, KAN Group ka marrë operimin e KFC-së në Shqipëri dhe po vijon zgjerimin e aktivitetit në rajon.
Investime të konsiderueshme po realizohen edhe në turizëm. Dukagjini Group po zhvillon projektin Dukagjini Resort në zonën e Ranës së Hedhun, me një vlerë investimi prej rreth 80 milionë eurosh.
Në sektorin e medias dhe telekomunikacionit, Vertex Holding, kompani e lidhur me Artmotion dhe Devolli Corporation, ka blerë Tring, një prej operatorëve të njohur të televizionit dhe internetit në Shqipëri.
Këto investime tregojnë zgjerimin e pranisë së kapitalit kosovar në tregun shqiptar, nga tregtia me pakicë dhe moda te shërbimet, turizmi, media dhe telekomunikacioni.
Ekspertët ndahen për ndikimin e investimeve jashtë Kosovës
Megjithëse zgjerimi i kompanive kosovare në Shqipëri shihet si një mundësi për rritjen e tyre dhe hyrjen në tregje të reja, ekspertët e ekonomisë kanë qëndrime të ndryshme për ndikimin që ky proces ka në ekonominë e Kosovës.
Analisti Astrit Panxha vlerëson se investimet jashtë vendit mund t'u krijojnë kompanive kosovare mundësi për të zgjeruar aktivitetin, për të eksportuar më lehtë produktet vendase dhe për të rikthyer në Kosovë fitimet e realizuara nga bizneset e tyre në Shqipëri. Sipas tij, edhe shërbimet e marketingut dhe funksione të tjera mbështetëse mund të centralizohen në Kosovë për të gjithë rajonin.
Nga ana tjetër, profesori i ekonomisë Nagip Skënderi e sheh zhvendosjen e kapitalit jashtë vendit si një zhvillim që mund të kufizojë mundësitë për krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e mirëqenies brenda ekonomisë kosovare.
“Ekonomia e Kosovës humb, pasi në vend që kapitali të investohet në ekonominë e Kosovës, të kthehet si ‘feedback’, si rezultat i kthyer, punëdhënia, rritja e PBB-së dhe rritja e mirëqenies sociale në Kosovë, ne tani kapitalin po e bartim, në atë kuptimin që nuk jemi të gatshëm të ndihmojmë shumë investitorët, që investitorët në Kosovë të kenë përkrahje më të fortë. Për këtë arsye, ata po gjejnë terren jashtë Kosovës. Prandaj Kosova nuk përfiton në këtë kontekst”, ka deklaruar Skënderi.
Sipas tij, pasiguria politike dhe institucionale është ndër faktorët që ndikojnë në vendimet e investitorëve. Ai vlerëson se kompanitë kosovare po kërkojnë tregje ku ndihen më të sigurta për të zhvilluar aktivitetin e tyre, ndërsa Shqipëria shihet si një destinacion i përshtatshëm për shkak të afërsisë ekonomike dhe kombëtare.
“Kushtet e pafavorshme politike, pasiguria politike, pasiguria institucionale ka bërë që shumica e këtyre investitorëve seriozë ta investojnë kapitalin e tyre në një terren që është më i sigurt, dhe në këtë kontekst ata e gjejnë Shqipërinë jo vetëm si terren të sigurt intensiv, por edhe si terren mbarëkombëtar”, është shprehur Skënderi.
Ai ka përmendur gjithashtu afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian si një faktor tjetër që, sipas tij, e bën tregun shqiptar më tërheqës për investitorët.
Gërxhaliu: Ikja në heshtje e kapitalit duhet të shqetësojë institucionet e Kosovës
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e konsideron shqetësues zgjerimin e investimeve të kompanive kosovare jashtë vendit, duke kërkuar më shumë vëmendje institucionale ndaj kushteve që u ofrohen bizneseve në tregun vendas.
Sipas tij, investimet e kompanive kosovare në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Slloveni dhe vende të tjera europiane duhet të nxisin një analizë më të thelluar të arsyeve që i shtyjnë sipërmarrësit të zhvendosin kapitalin jashtë Kosovës.
“Brenga tjetër që askush nuk po e vëren është ikja në heshtje e kapitalit të bizneseve kosovare në vendet e rajonit dhe më gjerë. Po të shkoni në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Mal të Zi, Slloveni e vende të tjera europiane, ju do të habiteni me numrin e investitorëve nga Kosova që investojnë në kapitalin e atyre vendeve dhe kjo duhet të jetë brenga më e madhe”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai thekson se institucionet nuk duhet të përqendrohen vetëm te numri i qytetarëve që largohen nga vendi, por edhe te masat që mund të ndërmerren për të motivuar bizneset të investojnë në Kosovë.
“Nuk duhet të numërohet gjithmonë sa largohen nga Kosova, por çfarë bën shteti që ata t’i motivojë të mbeten në Kosovë. Ikja e fuqisë punëtore, kamatat e larta bankare, burokracia dhe mungesa e një dialogu të mirëfilltë publiko-privat po e vështirësojnë mjedisin e biznesit dhe po i shtyjnë kompanitë që të kërkojnë mundësi investimi jashtë vendit”, është shprehur ai.
Gërxhaliu e lidh këtë situatë edhe me mungesën e stabilitetit ekonomik, burokracinë dhe qasjen institucionale ndaj sektorit privat.
“Ndër arsyet kryesore është stabiliteti ekonomik që Kosovës po i mungon. Në rend të dytë kemi një burokraci të politizuar dhe në rend të tretë, qasjen institucionale shumë më tepër drejt një ekonomie majtiste sesa djathtiste. Qasja që biznesi të shihet për t’u gjobitur dhe jo për t’u mbështetur është një arsye shtesë. Kur kësaj i shtohet fakti që nuk ka një dialog të mirëfilltë publiko-privat, është vërtet mjaft shqetësuese”, ka deklaruar ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës.
Të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 tregojnë se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë kapital nga kompanitë kosovare, ndërsa investimet në drejtimin e kundërt kanë shënuar rënie. Për bizneset e Kosovës, zgjerimi në tregun shqiptar krijon mundësi të reja zhvillimi, por njëkohësisht ka nxitur debat mbi kushtet e investimit dhe mbështetjen institucionale për sektorin privat në Kosovë.
Burimet: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)